Izraeli miraton marrëveshjen multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarakë nga SHBA
Izraeli njoftoi të dielën miratimin e një marrëveshjeje multimiliardëshe për blerjen e dy llojeve të avionëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Blerja përfshin avionë shumëfunksionalë F-35 të prodhuar nga Lockheed Martin dhe avionë luftarakë F-15IA nga Boeing, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit.
Ky plan synon të “sigurojë epërsinë ajrore të Izraelit për dekadat e ardhshme”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. Ai shtoi se “blerjet e F-35 dhe F-15IA janë thelbësore për planin ‘Mburoja e Izraelit’, i cili është projektuar për t’i dhënë Forcave të Mbrojtjes së Izraelit një epërsi cilësore dhe të qëndrueshme”. “Misioni ynë është i qartë: të sigurojmë që ushtria të ketë mjetet, aftësitë dhe forcën për të vepruar kudo, në çdo kohë”, theksoi Katz.
F-35, një projekt i përbashkët mes SHBA-së dhe aleatëve të saj, konsiderohet si një nga avionët ushtarakë më të avancuar në botë. Izraeli tashmë zotëron disa dhjetëra avionë të tillë.
Forca ajrore izraelite ka luajtur një rol thelbësor në luftën në Gaza, duke kryer një nga fushatat më intensive të bombardimeve ajrore në historinë moderne. Izraeli ka deklaruar se mijëra sulme kishin në shënjestër caqe të Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – përfshirë tunele, qendra komanduese dhe vendndodhje të raketahedhësve. Megjithatë, njëkohësisht janë shkatërruar edhe zona të mëdha të territorit, si shtëpi, spitale dhe shkolla.
Përveç kësaj, forca ajrore e Izraelit ka kryer sulme me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit iranian në dy raste gjatë vitit të fundit. Zyrtarët izraelitë i kanë cilësuar këto sulme si operacione precize që synonin dobësimin e aftësive strategjike të Iranit, ndërsa zyrtarët iranianë kanë raportuar për bombardime në qytete kyçe dhe zona industriale.
Së fundmi, Izraeli miratoi buxhetin e tij për vitin 2026, i cili parashikon një rritje prej miliarda dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes. Shpenzimet ushtarake të Izraelit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i luftës në Gaza, e cila u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Përveç konfrontimit të fundit disa-javor me Iranin, i zhvilluar së bashku me SHBA-në, Izraeli vazhdon të përballet me kërcënimin e organizatës islamiste Hezbollah, të mbështetur nga Irani, në Libanin jugor. /REL
