Ish-anësori i Manchester Unitedit, Jadon Sancho, ka marrë një ofertë nga Getafe për t’u rikthyer në futboll, me klubin e La Ligës që i ka propozuar një kontratë me pagë prej 10 mijë funteve në javë deri në fund të sezonit 2026/27.
Sancho, i cili gjatë qëndrimit në “Old Trafford” përfitonte rreth 250 mijë funte në javë, është lojtar i lirë që nga qershori, kur u largua pas përfundimit të kontratës pesëvjeçare me Unitedin.
Derisa po stërvitet te klubi amator Flixton FC, në Greater Manchester, në përpjekje për ta mbajtur formën fizike, 26-vjeçari është lidhur me disa klube, përfshirë ish-skuadrën e tij, Borussia Dortmundin.
Së fundmi, atij i është ofruar një kontratë nga Getafe, klub që po përballet me vështirësi financiare dhe që është i gatshëm t’i paguajë Sanços 400 mijë euro (335 mijë funte) në paga nga tani deri në qershor, sipas “The Telegraph”.
Raportimi pretendon se Sancho nuk e ka përjashtuar mundësinë e transferimit te klubi spanjoll. Ai është “i joshur” nga ideja për të luajtur në La Liga, ndërsa ky transferim shihet si një mundësi e mirë për ta ringjallur karrierën e tij.
Thuhet se ai dëshiron të takohet me trajnerin kryesor, Jose Bordalas, përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Presidenti i Getafes, Angel Torres, së fundmi ka dhënë detaje rreth përpjekjeve të klubit për ta transferuar Sançon, duke thënë për një radio spanjolle: “Kam punuar për këtë çështje për katër muaj. Tani ai është lojtar i lirë. I kemi bërë një ofertë përfundimtare. Ai ka luajtur më parë për Manchester [Unitedin] dhe Aston Villan, kështu që nuk është një lojtar që vjen nga askund. E di se ka oferta nga Katari dhe nga disa klube të tjera”.
Torres shtoi: “Duhet të jemi të durueshëm, të mos i bëjmë presion dhe ta lëmë të vendosë vetë”.
Sancho ishte përjashtuar nga ekipi i parë i Unitedit nga Erik ten Hag pas një përplasjeje publike lidhur me paraqitjet e tij në stërvitje.
Ai e kaloi gjysmën e dytë të sezonit 2023/24 si i huazuar te Borussia Dortmundi, përpara se të rikthehej tek Unitedi.
Në atë kohë, Ten Hag deklaroi se të dy kishin “hedhur një vijë” mbi konfliktin e tyre, pas një takimi ku i sqaruan mosmarrëveshjet.
Megjithatë, Sancho u huazua te Chelsea në ditën e fundit të afatit kalimtar, ndërsa Ten Hag u shkarkua më vonë, në tetor të vitit 2024.
Në një intervistë për “The Athletic”, Ten Hag zbuloi se transferimi i bujshëm i Antonyt nga Ajaxi ishte nxitur nga një kërkesë e Sanchos, e cila e kishte befasuar trajnerin holandez.
Ai shpjegoi se Sancho kishte shkuar tek ai dhe i kishte thënë se do të ndihej më rehat duke luajtur në krahun e majtë.
“U shfaq një problem, sepse Sancho nuk dëshironte të luante në krahun e djathtë. Ai ma tha këtë”, zbuloi Ten Hag. “Kjo ishte shumë e çuditshme, sepse ai kishte luajtur shpesh në të djathtë. Ai tha se ndihej më rehat në të majtë. Kështu, patëm një problem dhe ishim vonë. Kur transferoj lojtarë, i vlerësoj paraqitjet dhe profilet për të përcaktuar se çfarë nevojitet për lojën. Nuk bazohem te emocionet, nëse më pëlqen apo nuk më pëlqen një lojtar, nëse e kam stërvitur më parë apo nëse e kam transferuar unë ose klubi. Jo. Mendoj se mund të veproj në mënyrë shumë profesionale”, e mbylli ai./GazetaExpress/
