Jakup Krasniqi përfundon ditën e dytë të vizitës familjare, largohet nën shoqërim të EULEX-it
**Prishtinë** – Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u largua sot nga shtëpia e tij në Prishtinë, duke përfunduar kështu ditën e dytë të vizitës familjare. Largimi u bë nën masa të rrepta sigurie dhe me automjete të EULEX-it, pas disa orësh qëndrimi me familjen e tij.
Sipas raportimeve të KosovaPress, pas largimit nga shtëpia, Krasniqi thuhet se është transferuar në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.
Vizita e tij humanitare në Kosovë pritet të zgjasë edhe dy ditë të tjera. Krasniqi qëndroi me familjen e tij në kryeqytet edhe ditën e djeshme, po ashtu për disa orë.
Kjo vizitë u mundësua nga Dhomat e Specializuara të Hagës, të cilat bënë të ditur se, për arsye bindëse humanitare, Trupi Gjykues udhëzoi Zyrën Administrative të organizonte një vizitë të Jakup Krasniqit në Kosovë nën mbikëqyrje.
Jakup Krasniqi u dënua më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara, në shkallën e parë, me 25 vjet burgim.
