Chelsea shfaq interes serioz për Fermín Lopez, gati 120 milionë euro; Lamine Yamal kundërshton largimin e shokut
Klubi anglez Chelsea mbetet thellësisht i interesuar për mesfushorin e Barcelonës, Fermín Lopez. Raportohet se londinezët janë gati të ofrojnë deri në 120 milionë euro për shërbimet e tij.
Sipas mediumit spanjoll “El Nacional”, drejtuesit e klubit londinez janë të vendosur për të transferuar futbollistin spanjoll, i cili është bërë një prej lojtarëve kyç në skuadrën katalunase.
Megjithatë, një largim i tij nuk do të pritej mirë brenda ekipit. Lamine Yamal, shoku i tij i ngushtë, thuhet se nuk dëshiron ta humbasë Lopez-in, me të cilin ka krijuar një bashkëpunim të veçantë si jashtë, ashtu edhe në fushën e lojës.
Vetë Fermín Lopez, nga ana e tij, mbetet i përkushtuar ndaj Barcelonës. Ai ka një kontratë me klubin katalanas deri në vitin 2031, ndërsa klauzola e tij e largimit kap vlerën e 500 milionë eurove.
Aktualisht, nuk ka sinjale konkrete që mesfushori dëshiron të largohet nga “Camp Nou”. Megjithatë, interesi i vazhdueshëm i Chelseat dhe shuma potenciale prej 120 milionë eurosh pritet ta shndërrojnë këtë në një nga temat kryesore të merkatos së transferimeve.
