**Al-Ittihad rikthehet me ofertë të re për Edon Zhegrovën në janar**
Edon Zhegrova mund të largohet nga **Lille** gjatë merkatos së janarit, pasi interesimi nga Arabia Saudite për shërbimet e tij është rikthyer.
Sipas raporteve të mediumit “TalkJuve”, klubi Al-Ittihad po përgatit një ofertë të re për transferimin e lojtarit kosovar.
Klubi nga Xheda e kishte shprehur interesimin për mesfushorin 27-vjeçar edhe gjatë afatit kalimtar të verës, madje kishte bërë përpjekje për ta siguruar transferimin e tij, por bisedimet nuk kishin rezultuar në marrëveshje.
Tashmë, drejtuesit e Al-Ittihad janë të vendosur të rikthehen me një propozim të ri në merkaton e dimrit, me synimin për ta bërë Zhegrovën pjesë të skuadrës së tyre.
Ndërkohë, sipas raportimeve, vetë futbollisti nuk është kundër një ndryshimi mjedisi, pasi kërkon më shumë hapësirë dhe minuta loje të rregullta.
Mbetet për t’u parë nëse këtë herë **Lille** do të jetë i gatshëm ta lejojë largimin e reprezentuesit të Kosovës dhe nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për transferimin e tij në Arabinë Saudite.
