Boksieri gjerman, Agit Kabayel, po i jep dorën e fundit përgatitjeve për përballjen e rëndësishme të 28 nëntorit, ku do të mbrojë titullin e kampionit të botës kundër boksierit shqiptar Nelson Hysa. Meçi do të zhvillohet në Dyseldorf të Gjermanisë.

Kabayel ka theksuar se gjatë dhjetë javëve të fundit është përkushtuar plotësisht kësaj sfide madhore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shpjeguar se ka kufizuar të gjitha angazhimet dhe kontaktet jashtë sportit, me qëllim që të arrijë nivelin maksimal të përgatitjes për mbrojtjen e titullit.

“Falë suksesit tim sportiv, kam privilegjin të njoh dhe të takoj shumë sportistë të mrekullueshëm dhe personalitete frymëzuese. Por e gjithë kjo nuk ka rëndësi kur më 28 nëntor të ngjitem në ring,” shkroi Kabayel, duke theksuar fokusin e tij të plotë te dueli.

Ai bëri të ditur se dhjetë javët e fundit i ka kaluar pothuajse tërësisht i izoluar, duke ia kushtuar kohën e tij çdo detaji të përgatitjes. “Dhjetë javët e fundit jam izoluar pothuajse plotësisht, për t’u përgatitur për mbrojtjen e titullit botëror,” shtoi boksieri gjerman.

Kabayel ka ftuar gjithashtu tifozët të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe, duke theksuar se biletat e fundit për duelin në Dyseldorf janë ende në dispozicion.