Chelsea kërkon Fermín López, Barcelona pret 120 milionë euro

Klubi anglez Chelsea vazhdon të shfaqë interes të fortë për mesfushorin e talentuar të Barcelonës, Fermín López, dhe thuhet se mund të ofrojë deri në 120 milionë euro për shërbimet e tij.

Sipas mediumit spanjoll “El Nacional”, klubi londinez mbetet i vendosur në synimin e tij për të transferuar futbollistin spanjoll, i cili është kthyer në një element kyç për skuadrën katalanase.

Megjithatë, një largim i mundshëm i López-it nuk do të mirëpritej aspak nga shokët e tij të skuadrës. Lamine Yamal, në veçanti, thuhet se nuk dëshiron ta humbasë shokun e tij të ngushtë, me të cilin ka krijuar një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e lojës.

Nga ana tjetër, vetë Fermín López mbetet thellësisht i përkushtuar ndaj Barcelonës. Ai ka një kontratë afatgjatë me gjigantët katalanas, e cila është e vlefshme deri në vitin 2031, ndërsa klauzola e tij e lirimit arrin në shifrën marramendëse prej 500 milionë eurosh.

Për momentin, nuk ka asnjë sinjal konkret se mesfushori kërkon të largohet nga “Camp Nou”. Gjithsesi, interesimi i vazhdueshëm i Chelseat dhe shuma e konsiderueshme prej 120 milionë eurosh mund ta shndërrojnë këtë situatë në një nga temat kryesore të afatit kalimtar të verës.