**Senati i SHBA-së kërkon ndërprerjen e veprimeve ushtarake në Iran pa miratimin e Kongresit**

Senati i Shteteve të Bashkuara, me shumicë republikane, ka miratuar një rezolutë që i kërkon Presidentit Donald Trump të ndërpresë çdo veprim ushtarak në Iran ose të kërkojë miratimin e Kongresit para se të vazhdojë ndërhyrjet e tilla.

Një numër i vogël senatorësh republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin e zhvilluar të martën, i cili përfundoi me rezultatin 50-48. Një masë e ngjashme ishte miratuar më herët këtë muaj edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Megjithatë, rezoluta ka karakter kryesisht simbolik, pasi, megjithëse është miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit, ajo nuk do t’i dërgohet Presidentit Trump për nënshkrim dhe nuk ka fuqi detyruese ligjore.

Ky votim u zhvillua në një kohë kur republikanët në Kongres kanë shprehur skepticizëm ndaj politikës së Trumpit për paqen me Iranin, ndërsa konflikti po hyn në muajin e pestë.

Trump e kritikoi rezolutën të martën në mbrëmje, duke e cilësuar atë si “të papërshtatshme për kohën dhe pa kuptim”.

“Iranin e kam në një pozicion të vështirë, gati për t’u dorëzuar… dhe Senati i SHBA-së vendos të zhvillojë një votim të papërshtatshëm dhe pa kuptim mbi Aktin e Kompetencave të Luftës,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Këta senatorë sapo ma kanë bërë punën më të vështirë, por unë do ta realizoj gjithsesi, në një mënyrë apo në një tjetër, sepse gjithmonë ia dal,” shtoi ai.

Ky votim shënon herën e parë që të dyja dhomat e Kongresit miratojnë një rezolutë të përbashkët që i kërkon një presidenti të ndërpresë një veprim ushtarak, që nga miratimi i Rezolutës për Kompetencat e Luftës në vitin 1973.

Një rezolutë e tillë shpreh qëndrimin apo vullnetin e Kongresit, ndryshe nga format e tjera legjislative që i dërgohen presidentit për t’u nënshkruar dhe shpallur ligj. Në vitin 2019, Trump vuri veton ndaj një rezolute të ngjashme që kërkonte tërheqjen e forcave të armatosura amerikane nga lufta civile në Jemen.