Jumbo S.A. dhe Grupi BALFIN kanë zgjeruar ndjeshëm partneritetin e tyre ekskluziv, duke shtrirë bashkëpunimin në total 11 tregje dhe duke përfshirë krijimin e një qendre logjistike të dedikuar në Kinë.

Pas suksesit në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Moldavi (ku do të nisë së operuari këtë vit), Grupi BALFIN ka marrë të drejtat ekskluzive për operimin dhe zhvillimin e markës Jumbo edhe në gjashtë shtete të reja: Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan.

Marrëveshja e re strategjike ndryshon modelin e operimit, duke i dhënë Grupit BALFIN përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e të gjithë zinxhirit të furnizimit për këto tregje të reja. BALFIN do të ndërtojë një rrjet të integruar logjistik, i mbështetur nga një qendër e veçantë në Kinë dhe infrastruktura të dedikuara në rajonet e reja të operimit.

Samir Mane, President i BALFIN Group, theksoi: “Kjo marrëveshje është një dëshmi e kapaciteteve dhe ambicies që ekipi ynë ka ndërtuar gjatë më shumë se një dekade bashkëpunimi me Jumbo S.A. Zgjerimi i ekskluzivitetit në gjashtë tregje të reja, si dhe marrja e përgjegjësisë së plotë për zinxhirin logjistik deri te konsumatori final, përfaqëson një hap strategjik që e pozicionon BALFIN ndër operatorët më ambiciozë të tregtisë me pakicë në rajon. Kjo pasqyron besimin që Jumbo S.A. ka tek ne, si dhe bindjen tonë për potencialin e rritjes në këto tregje.”

Apostolos-Evangelos Vakakis, Themelues dhe Kryetar i Jumbo S.A., u shpreh: “Partneriteti ynë me BALFIN ka sjellë vazhdimisht rezultate të larta në çdo treg ku operojmë së bashku. Performanca, profesionalizmi dhe disiplina operacionale e ekipit të BALFIN na kanë dhënë besimin e plotë për t’u besuar atyre këtë territor shumë më të madh dhe menaxhimin e pavarur të zinxhirit të furnizimit. Jemi krenarë që zgjerojmë bashkëpunimin tonë në këto tregje të reja dinamike dhe mezi presim të sjellim eksperiencën Jumbo për miliona klientë të rinj.”

Kjo marrëveshje e pozicionon Grupin BALFIN në qendër të një prej korridoreve më të rëndësishme strategjike të shitjes me pakicë dhe logjistikës që lidh Azinë me Evropën. Duke krijuar kapacitete të drejtpërdrejta për furnizimin dhe shpërndarjen e mallrave, BALFIN fiton më shumë fleksibilitet operativ. Ky zgjerim pritet të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës, investime në infrastrukturë dhe transferim të njohurive në tregjet e reja, si dhe të forcojë lidhjet tregtare midis Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe rajonit më të gjerë Euroaziatik.