Kallas: Zgjedhjet në Kosovë vonojnë dialogun Kosovë–Serbi
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, deklaroi se periudhat e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore për mungesën e një raundi të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel udhëheqësish.
Kallas u tha gazetarëve se ka gatishmëri nga të dyja palët për takime në kuadër të dialogut, si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, por procesi është shtyrë për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë.
“Ne, vërtetë, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – një dialog politik në nivel të lartë. Kishim marrë miratimin e të dy udhëheqësve – si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.
Sipas saj, Bashkimi Evropian po vazhdon angazhimin përmes punës me të dyja palët, me qëllim zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
“Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023.
Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2023 dhe deri më tani nuk ka udhëhequr ndonjë raund të ri bisedimesh mes dy palëve.
