Mashtrim mbi 1.5 milionë euro me toka: Arrestohet një shtetas serb në Vërmicë

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Serbisë, i cili dyshohet për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh, ku dëmi financiar i shkaktuar dyshohet të arrijë në mbi 1.5 milionë euro.

Arrestimi u krye më 10 maj 2026, rreth orës 21:40, në pikën kufitare të Vërmicës, sipas një raporti shtesë të Policisë së Kosovës.

I dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët janë arrestuar më herët më 19 shkurt 2026, dyshohet se ka falsifikuar pasaporta dhe dokumente të tjera zyrtare.

Përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, grupi dyshohet se ka arritur të tjetërsojë dhe të shesë sipërfaqe toke, duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar një shumë prej 1,578,180 euro.

Pas procesit të intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në qendrën e paraburgimit.