Harry Kane ka mahnitur jo vetëm Bayernin, por edhe botën e futbollit, pas një performance mbresëlënëse në finalen e Kupës, duke u mbuluar me lëvdata nga të gjitha anët. Sulmuesi anglez shkëlqeu jo vetëm me tre golat e shënuar me fanellën e Bayern Munichut, por edhe me përkushtimin dhe kontributin e tij thelbësor në lojë.

Në tribunat e tifozëve të Stuttgartit, ishte shfaqur një koreografi me mbishkrimin: “Mendoj se po shoh dyfish”, por në fund ata panë Kane të festonte jo dy, por tre herë, teksa Bayerni triumfoi bindshëm me rezultatin 3-0.

Me këtë hat-trick, Kane u bë futbollisti i katërt në histori që shënon tre gola në një finale kupe, pas emrave të tillë si Uwe Seeler, Roland Wohlfarth dhe Robert Lewandowski. Ai e ngriti numrin e përgjithshëm të golave këtë sezon në 61, duke regjistruar sezonin më të suksesshëm të karrierës së tij.

“Ka qenë një nga netët më të bukura të karrierës sime”, deklaroi Kane pas ndeshjes. Ai pranoi se kishte qenë shumë nervoz para finales, por shtoi se realizimi i tre golave në një finale është një ndjenjë sublime.

Megjithatë, trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, vlerësoi veçanërisht një moment tjetër: ndërhyrjen me rrëshqitje të Kane pranë flamurit të këndit në minutat e fundit të lojës.

“Ajo ndërhyrje dëshmon karakterin dhe përkushtimin e tij për ekipin. Sigurisht që shënoi tre gola, por loja e tij është e kompletuar”, tha Kompany.

Edhe trajneri i Stuttgartit, Sebastian Hoeneß, mbeti i impresionuar nga puna mbrojtëse e anglezit.

“Në minutën e 96-të, kur rezultati ishte 3-0, ai bëri një bllokim vendimtar në zonën e tij. Është futbollist i klasit botëror dhe sot bëri diferencën”, u shpreh Hoeneß.

Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, theksoi se Kane nuk është vetëm një shënues golash, por edhe një lider në fushë. Sipas tij, drejtuesit bavarezë planifikojnë t’ia zgjasin kontratën sulmuesit anglez, e cila aktualisht përfundon në vitin 2027.

Ndërkohë, presidenti i nderit të klubit, Uli Hoeneß, bëri një deklaratë të fortë, duke e quajtur Kane “transferimin më të mirë në historinë e Bayern Munichut”.

Vetë Kane u shpreh i vlerësuar nga këto fjalë.

“Shumë futbollistë të mëdhenj kanë luajtur për këtë klub. Ndihem krenar që jam pjesë e historisë së Bayernit”, tha ai.

Krahas suksesit me Bayernin, anglezi shihet si një nga kandidatët kryesorë për “Topin e Artë”, sidomos nëse vazhdon formën e jashtëzakonshme edhe me Anglinë në Kupën e Botës.