Pas shumë zërave që qarkullonin prej kohësh, ardhja e Kanye West në Tiranë tashmë është konfirmuar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, në Facebook.

Reperi amerikan pritet të ndalojë në kryeqytetin shqiptar më 11 korrik, datë që përkon me performancën e anuluar më herët në Wireless Festival në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të komenteve antisemite dhe një kënge që ai publikoi me titull “Heil Hitler”, shkruan gazeta online Reporteri.net. Koncerti do të jetë pjesë e turneut promovues të albumit të tij më të ri, “Bully”.

Sipas informacioneve të publikuara në “The Andidote”, eventi do të mbahet në Eagle Stadium, një stadium i hapur që do të ndërtohet në periferi të Tiranës dhe pritet të ketë kapacitet prej 30 mijë spektatorësh.

Bëhet me dije se struktura do të realizohet nga kompani të specializuara që projektojnë edhe ambiente për garat e Formula 1.

Për ndërtimin e tij, siç raportojnë mediat në Shqipëri, pritet të mbërrijnë rreth 300 kamionë me materiale çeliku, ndërsa kostoja e stadiumit llogaritet nga 6 deri në 8 milionë euro. Investimi total për eventin mund të arrijë në rreth 10 milionë euro.

Edhe çmimet e biletave pritet të jenë të larta, duke nisur nga 250 euro plus tarifa shtesë, deri në 1000 euro për paketat VIP. Shitja e biletave raportohet se nis më 5 maj për abonentët ekskluzivë të regjistruar, ndërsa nga 6 maji për publikun e gjerë.

Ndonëse, për shqiptarët ky koncert pritet ta vendosë Tiranën mes qyteteve evropiane që presin evente të mëdha ndërkombëtare gjatë vitit 2026, – duke shërbyer edhe si test për infrastrukturën dhe organizimin e aktiviteteve të këtij niveli, – në fakt reperi amerikan nëpër vendet e Perëndimit dhe Australi ka nxitur polemika dhe reagime në vitet e fundit, pas deklaratave të tij kontroverse që kanë sjellë edhe anulime koncertesh, vjet e sivjet.

Për shkak të shqetësimeve për antisemitizëm, reperit kontrovers amerikan i njohur edhe si “Ye”, i janë anuluar disa koncerte në Evropë, Britani të Madhe dhe Australi.