**Kaos në kufijtë e Bashkimit Evropian: Brukseli pranon problemet me EES, por nuk tërhiqet nga sistemi i ri**

Komisioni Evropian ka pranuar se sistemi i ri për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve në Bashkimin Evropian po shkakton vështirësi në pikat kufitare, duke bërë që mijëra udhëtarë të përballen me pritje të gjata dhe vonesa gjatë këtij sezoni veror.

Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se Brukseli është në dijeni të problemeve që kanë shoqëruar zbatimin e sistemit dhe se po bashkëpunon ngushtë me shtetet anëtare për të monitoruar situatën dhe për të gjetur zgjidhje. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka plane për pezullimin e sistemit EES.

Sistemi EES (Entry/Exit System) regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jashtë Bashkimit Evropian, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Gjatë kontrolleve kufitare mblidhen të dhëna biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës.

Megjithatë, sipas raportimeve të Politico, zbatimi i sistemit ka krijuar radhë të gjata në aeroporte dhe pika kufitare. Shoqatat e kompanive ajrore dhe aeroporteve evropiane paralajmërojnë se në disa raste pritjet zgjasin deri në pesë orë, ndërsa shumë udhëtarë kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të ngadalta.

Përfaqësuesit e industrisë së aviacionit i kanë kërkuar Komisionit Evropian (KE) t’u mundësojë shteteve anëtare pezullimin e përkohshëm të sistemit në rastet kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetet e pikave kufitare. Sipas tyre, pa masa shtesë dhe rritje të numrit të personelit, situata mund të rëndohet edhe më tej gjatë kulmit të sezonit turistik, veçanërisht në korrik dhe gusht.