Dy aeroplanë me udhëtarë janë kontrolluar në Varshavë të Polonisë, ndërsa një i tretë në Murcia të Spanjës, pas një serie kërcënimesh me bomba.

Mediat lokale në Bullgari raportojnë se edhe një aeroplan që po fluturonte nga Izraeli ka ateruar në aeroportin e Sofjes, pasi ishte pranuar një kërcënim me bombë përmes emailit.

Një fluturim nga aeroporti Heathrow i Londrës ka bërë një ulje të paplanifikuar në aeroportin Varshavë-Modlin, ku është kontrolluar nga specialistët. Aeroplani ishte nisur drejt aeroportit kryesor të Varshavës, Chopin, dhe kishte 181 persona në bord.

Edhe një fluturim i dytë, nga Kopenhaga drejt aeroportit Chopin, është përballur me kërcënim me bombë, raportojnë mediat daneze. Ky aeroplan ka ateruar sipas planit.

Ndërkohë, një aeroplan i kompanisë Ryanair, i nisur nga Mançesteri, ka bërë një ulje emergjente në aeroportin e Murcias, në jug të Spanjës, për shkak të një tjetër kërcënimi.

Në atë fluturim ndodheshin 121 persona, përfshirë anëtarët e ekuipazhit, sipas Francisco Lucasit, përfaqësuesit të Qeverisë spanjolle në rajonin e Murcias.

Këto incidente të ndara ndodhën një ditë pasi një fluturim i kompanisë Wizz Air, nga aeroporti London Luton, bëri një ulje emergjente në Budapest, i shoqëruar nga një aeroplan luftarak hungarez, pas një kërcënimi me bombë.