**Arrestohet në Stançiq një i huaj, i dyshuar për kërcënim ndaj Kryeministrit Kurti**
Një shtetas i huaj, 72 vjeç, është arrestuar në pikën kufitare Stançiq. Arrestimi i tij u bë në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, nën dyshimin për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.
Sipas burimeve të portalit “Sinjali”, i arrestuari është K. Xh., 72 vjeç. Ai dyshohet se, më 30 tetor 2025, kishte publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjetit social Facebook.
Arrestimi i K. Xh. u realizua më 12 korrik 2026, në pikën kufitare Stançiq, gjatë kontrolleve kufitare. Ai u ndalua pasi u konstatua se ndaj tij ishte në fuqi një urdhër-arrest i lëshuar nga gjykata.
Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa hetimet për kërcënimet e dyshuara ndaj Kryeministrit Kurti janë në vazhdim.
