“Serbia po e pengon dialogun”, Serwer: BE dhe SHBA duhet ta sanksionojnë Beogradin
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet në ngërç të thellë, ndërsa marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër nuk janë zbatuar ende.
Edhe pse Bashkimi Evropian ka paralajmëruar riaktivizimin e procesit gjatë këtij viti, deri më tani nuk ka pasur zhvillime konkrete.
Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer vlerëson se pengesa kryesore për mungesën e përparimit është Serbia. Ai thekson se Beogradi nuk ka shfaqur vullnet të sinqertë për zbatimin e marrëveshjeve.
Sipas tij, pas gati një dekade pa rezultate thelbësore, progres i vërtetë nuk mund të pritet pa angazhim real nga të dyja palët, veçanërisht nga Serbia.
“Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas rreth dhjetë vjetësh pa ndonjë progres të vërtetë. Serbia asnjëherë nuk u angazhua seriozisht për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Ato nuk u nënshkruan dhe nuk pati angazhim të qartë nga Beogradi. Prandaj, nuk është realiste të pritet përparim, megjithëse shpresoj që ai të ndodhë,” ka deklaruar Serwer.
Ai shtoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka treguar qartë mungesën e interesit për avancimin e dialogut, duke theksuar se procesi kërkon angazhim të barabartë nga të dyja palët.
Serwer vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të mbajtur gjallë procesin e dialogut.
Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka rishqyrtuar qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një vendim i gabuar. Ai theksoi se institucionet evropiane po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se Serbia nuk ka qenë konstruktive.
Serwer bëri thirrje gjithashtu për një qasje më të vendosur të Shteteve të Bashkuara ndaj Beogradit, duke argumentuar se Serbia është trajtuar me tepër butësi, si në raport me dialogun, ashtu edhe në çështjet e korrupsionit dhe ndikimit rus.
Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se Kosova e ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare përmes angazhimit në nisma paqeje, bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, si dhe pjesëmarrjes në mekanizma ndërkombëtarë e kontributit në misione humanitare.
Sipas Serwer, vetëm një qasje më e vendosur e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë dhe një angazhim i sinqertë i Beogradit mund të zhbllokojnë dialogun dhe të mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
