**Kërkohet ekstradimi i Gruevskit nga Hungaria pas zhvillimeve politike**
Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, i kërkoi sot Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të dërgojë kërkesë për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria, pas dobësimit të pozitës politike të Viktor Orbanit.
“Çfarë do të bëjë Nikolla Gruevski, i dënuari dhe simboli i korrupsionit e keqpërdorimit të pushtetit, tani që nuk ka më mbrojtës në Budapest? Atë, të cilin prej vitesh e mbronte nga drejtësia Viktor Orban,” deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Në lidhje me këtë çështje, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se nëse Gruevski do të shfaqet në Maqedoni, ai menjëherë do të dërgohet për të vuajtur dënimin me burg. “Nëse Nikolla Gruevski kthehet në Maqedoni, ai ka një vendim gjyqësor në fuqi dhe, menjëherë pasi të paraqitet në Maqedoni, natyrisht, organet e rendit do ta dërgojnë për vuajtjen e dënimit me burg,” tha Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Edhe Izet Mexhiti, një prej liderëve të koalicionit VLENI, u shpreh se vendi i Gruevskit është në burg. “Mendoj se më tepër është çështje që i shqetëson ata që e ndihmuan Gruevskin të ikte nga Maqedonia në Hungari. Tani le të merren ata sërish me fatin e Gruevskit, nëse do ta ndihmojnë edhe atje në Hungari, kjo nuk është shqetësimi ynë,” tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Këto kërkesa dhe deklarata vijnë në një kohë kur një figurë kryesore e opozitës hungareze, Péter Magyar (Petar Maxhar), paralajmëroi se pushteti i ri nuk do të ofrojë më strehim për personat që i ikin drejtësisë.
