Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ish-policin serb, A.D., i dyshuar për kryerjen e krimit të luftës kundër popullsisë civile në vitin 1999. Kërkesa është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për ngjarje që kanë ndodhur në fshatin Ivajë dhe zonat përreth Komunës së Kaçanikut.
Prokuroria thekson se A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe polic trafiku në rajonin e Kaçanikut, më 9 mars 1999, në bashkëpunim me forcat policore e ushtarake serbe, detyroi banorët shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë. Këto shtëpi më pas u dogjën dhe u shkatërruan plotësisht.
Gjatë këtij aksioni, 91 meshkuj u ndanë nga një grup prej rreth 400 burrash, grash, të moshuarish dhe fëmijësh të grumbulluar, dhe më pas u dërguan në stacionin policor në Kaçanik.
Nga ky grup i ndaluar, 13 civilë u morën në pyetje dhe, sipas prokurorisë, u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale dhe çnjerëzore nga i pandehuri A.D. Kjo torturë, si fizike ashtu edhe psikike, u shkaktoi dëme të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit.
