**Shpëtimi i Pilotit Amerikan në Iran: Detajet e Operacionit të Gjerë**

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar shpëtimin e anëtarit të fundit të humbur të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten në jug të Iranit.

Lajmi u konfirmua nga Presidenti Donald Trump, i cili deklaroi se ushtria amerikane kreu “një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj”. Sipas Trump, oficeri është aktualisht “i sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

Në bordin e avionit ndodheshin dy anëtarë të ekuipazhit, të cilët të dy ishin katapultuar para rrëzimit. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Nga ana e tij, Irani pretendon se avioni u rrëzua nga sistemi i tij i mbrojtjes ajrore.

**Si u zhvillua operacioni?**

Sipas raportimeve, SHBA dhe Irani u angazhuan në një garë kohore për të gjetur ushtarakun e humbur. Një burim i afërt me operacionin e përshkroi atë si një mision të gjerë kërkim-shpëtimi luftarak në jug të Iranit. BBC raporton se gjatë operacionit ka pasur përleshje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, ndërsa ushtaraku mund të jetë plagosur qysh në momentin e katapultimit nga avioni.

Presidenti Trump theksoi se vendndodhja e pilotit monitorohej pa ndërprerje dhe se në operacion u përfshinë dhjetëra avionë amerikanë. Ai shtoi se nuk pati viktima apo të plagosur amerikanë gjatë misionit të shpëtimit.

Ndërkaq, media iraniane raportoi se Garda Revolucionare rrëzoi një dron amerikan që po merrte pjesë në kërkimet për ushtarakun e humbur.

Ekspertët evidentojnë se anëtarët e ekuipazheve të avionëve luftarakë janë të trajnuar posaçërisht për situata të tilla: të largohen shpejt nga zona e rrëzimit, të fshihen dhe të mbijetojnë për një kohë sa më të gjatë.

**Ku u rrëzua avioni?**

Vendndodhja e saktë nuk është konfirmuar plotësisht, por mediat iraniane citejnë provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad ose Khuzestan në jug të Iranit. Mediat amerikane raportojnë se edhe gjatë operacionit të parë të shpëtimit kishte rrezik: një helikopter që po transportonte pilotin e shpëtuar u godit nga armë të vogla, duke plagosur disa pjesëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej në siguri. Gjithashtu, Garda Revolucionare thotë se fise nomade lokale hapën zjarr drejt dy helikopterëve Black Hawk amerikanë.

**Çfarë dihet për misionin e F-15?**

F-15E është një avion i projektuar si për sulme ajrore, ashtu edhe për goditje ndaj objektivave tokësore. Besohet se në konfliktin me Iranin, ai përdorej kryesisht për të goditur dronë dhe raketa iraniane, si dhe për sulme precize me armë të drejtuara me lazer ose GPS. Avioni ka dy anëtarë ekuipazhi: pilotin dhe oficerin e sistemeve të armëve. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi avionin, por nëse është goditur nga forcat iraniane, shkaku më i mundshëm mbetet një raketë tokë-ajër.