**SHBA shpëton pilotin e dytë në Iran pas rrëzimit të avionit: Detajet e operacionit të guximshëm**

Shtetet e Bashkuara kanë shpëtuar anëtarin e dytë të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten mbi Iranin jugor. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi shpëtimin në rrjetet sociale të dielën në mëngjes, duke e vlerësuar operacionin e ushtrisë amerikane si “një nga më të guximshmit” në historinë e saj. “Oficeri është tani I SIGURT dhe MIRË!”, shkroi ai.

Dy anëtarë të ekuipazhit ishin në bord dhe të dy u hodhën me parashutë nga avioni. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Zyrtarët iranianë deklaruan se avioni ishte rrëzuar nga sistemi i tyre i mbrojtjes ajrore.

Detajet rreth operacionit të shpëtimit mbeten ende të paqarta, por ja çfarë dihet deri më tani.

**Si u shpëtua oficeri?**

SHBA-ja dhe Irani garuan për të gjetur anëtarin e zhdukur të ekuipazhit pas rrëzimit të avionit mbi Iranin jugor. Rrethanat e sakta të operacionit amerikan mbeten të paqarta, por një burim i njohur me operacionin e përshkroi atë si një mision “të madh” kërkim-shpëtimi luftarak. BBC-ja raportoi për një përplasje mes forcave amerikane dhe iraniane gjatë operacionit, ndërsa piloti mund të jetë plagosur gjatë hedhjes me parashutë.

Shpëtimi i ekuipazhit të një avioni të rrëzuar, i njohur si kërkim-shpëtim luftarak (CSAR), është një prej operacioneve më komplekse dhe urgjente, për të cilat ushtria amerikane dhe aleatët e saj trajnohen vazhdimisht. Njësitë ajrore që kryejnë misione CSAR përbëhen nga disa prej anëtarëve më të trajnuar dhe të specializuar të ushtrisë. Këto misione shpesh kryhen me helikopterë që fluturojnë në lartësi të ulët mbi territorin armik, të shoqëruar nga avionë të tjerë ushtarakë që ofrojnë mbështetje dhe patrullojnë zonën.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Trump tha se aviatori, një kolonel, “ndodhej pas vijave armike në malet e rrezikshme të Iranit, duke u ndjekur nga armiqtë, të cilët po afroheshin gjithnjë e më shumë çdo orë”. Presidenti shtoi se vendndodhja e tij ndiqej “24 orë në ditë” nga zyrtarë të lartë amerikanë që planifikonin operacionin e shpëtimit. Trump theksoi se ushtria amerikane dërgoi dhjetëra avionë në Iran dhe pohoi se operacioni u krye pa asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur.

Media shtetërore iraniane raportoi se trupa të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) rrëzuan një dron amerikan ndërsa po kërkonte aviatorin e zhdukur. Droni amerikan u rrëzua në provincën jugore Isfahan, sipas zyrës së marrëdhënieve me publikun të IRGC-së, cituar nga agjencia gjysmëzyrtare Fars. Më herët, Irani kishte deklaruar se dëshironte ta gjente të gjallë amerikanin e zhdukur dhe kishte ofruar shpërblim për qytetarët që do të ndihmonin në gjetjen e tij.

Ekuipazhi i një avioni të rrëzuar është i trajnuar posaçërisht për situata të tilla. “Prioriteti i tyre kryesor është të qëndrojnë gjallë dhe të shmangin kapjen,” tha për BBC-në Jennifer Kavanagh, drejtoreshë e analizës ushtarake në institutin kërkimor “Defense Priorities”. “Ata trajnohen që, nëse janë fizikisht në gjendje dhe jo aq të plagosur sa të mos mund të lëvizin, të largohen nga vendi i rrëzimit sa më shpejt dhe të fshihen për të qenë të sigurt.” Ata gjithashtu trajnohen për teknika mbijetese, në mënyrë që të përballojnë mungesën e ushqimit apo ujit, ose të gjejnë burime në terren, për aq kohë sa të jetë e mundur, shtoi Kavanagh.

**Ku dhe kur u rrëzua avioni?**

Media shtetërore iraniane raportoi fillimisht të premten se forcat e vendit rrëzuan një avion amerikan në jug të Iranit. Vendndodhja e saktë mbetet e pakonfirmuar, por janë përmendur dy provinca: Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, si dhe Khuzestan.

Dy persona ishin në bord. Piloti i parë u shpëtua në një operacion të mëhershëm, i cili sipas raportimeve përfshinte edhe një avion A-10 Warthog që u godit mbi Gjirin, ndërsa piloti i tij u hodh me parashutë përpara se të shpëtohej. Një helikopter që transportonte pilotin e shpëtuar nga avioni F-15E u godit me armë të lehta, duke plagosur anëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej në mënyrë të sigurt, raportuan mediat amerikane. IRGC-ja tha gjithashtu se fise nomade në malet e Iranit qëlluan dy helikopterë “Black Hawk” që ishin pjesë e misionit amerikan të shpëtimit. BBC Verify ka konfirmuar një video nga e premtja që tregon tre persona të armatosur duke qëlluar drejt të paktën dy helikopterëve “Black Hawk”.

Komanda e lartë ushtarake e Iranit ia atribuon rrëzimin e avionëve amerikanë sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore, sipas agjencisë shtetërore IRNA. Nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi këtë avion amerikan, por nëse është goditur nga iranianët, arsyeja më e mundshme është një raketë tokë-ajër (SAM).