KFOR-i amerikan dhuron pajisje zjarrfikësve të Ferizajt
Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga Brigada Shumëkombëshe Lindje e KFOR-it amerikan, e stacionuar në kampin “Bondsteel”.
Sipas njoftimit të Komunës së Ferizajt, në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Alberton Sahiti, ndërsa pajisjet u pranuan nga komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Zymri Krasniqi.
Krasniqi e vlerësoi lart donacionin, duke theksuar se ai do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës dhe do të rrisë kapacitetet operative të zjarrfikësve të qytetit.
Gjatë ceremonisë u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Brigadës Shumëkombëshe Lindje të KFOR-it dhe Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj. Ky memorandum synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e emergjencave.
Drejtori Sahiti falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vazhdojë me sukses edhe në të ardhmen.
