KFOR-i po zhvillon aktivitete logjistike në Pejë, përmes Batalionit Mbështetës të Komandës Rajonale-Perëndim, i cili ndodhet në kampin “Villaggio Italia”. Këto aktivitete kanë për qëllim mbështetjen e njësive të dislokuara në rajon.
KFOR-i njofton se aktivitetet përfshijnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe automjeteve, furnizimin me karburant, si dhe transportin dhe lëvizjen e mjeteve e pajisjeve të ndryshme.
Synimi i këtyre veprimeve është ruajtja e gatishmërisë së personelit të KFOR-it dhe aftësisë së tyre për të kryer operacione në të gjithë rajonin.
Misioni i NATO-s thekson se mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Qëllimi i tij është të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe të garantojë lirinë e lëvizjes.
KFOR-i shton se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke vepruar secili brenda fushës së tij të përgjegjësisë në siguri.
