Kina synon të marrë epërsinë në inteligjencën artificiale (AI) me një investim gjigant prej rreth 295 miliardë dollarësh. Pekini planifikon të shpenzojë rreth 2 trilionë juanë (ose rreth 295.43 miliardë dollarë) gjatë pesë viteve të ardhshme për ndërtimin e qendrave të të dhënave në të gjithë vendin, me objektivin për të sfiduar Shtetet e Bashkuara në garën gjithnjë e më të ashpër për AI, raporton agjencia Reuters.

Komisioni Kombëtar i Kinës për Zhvillim dhe Reforma po harton një plan për krijimin e një rrjeti qendrash kompjuterike të ndërlidhura në mbarë vendin. Plani i ri pesëvjeçar parashikon përdorimin intensiv të inteligjencës artificiale në ekonominë e dytë më të madhe në botë, si dhe dominimin në teknologjitë e reja, përfshirë llogaritjen kuantike dhe robotët humanoide.

Sipas raportit, kompanitë shtetërore si China Mobile dhe China Telecom do të operojnë pjesën më të madhe të qendrave të të dhënave dhe do të sigurojnë lidhjen e tyre. Një nga objektivat kryesore është përdorimi i furnizuesve vendas, ku Huawei pritet të mbulojë të paktën 80% të teknologjive, përfshirë çipat për inteligjencën artificiale. Kjo lëvizje do të kufizonte ndjeshëm rolin e kompanive amerikane si Nvidia dhe Advanced Micro Devices. Megjithatë, plani për qendrat e të dhënave është ende në fazat e hershme të diskutimeve dhe detajet mund të ndryshojnë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë në SHBA pritet të investojnë më shumë se 700 miliardë dollarë vetëm gjatë këtij viti për zgjerimin e kapaciteteve të tyre në inteligjencën artificiale. Reuters kujton se vitin e kaluar, qeveria kineze udhëzoi që projektet e reja të qendrave të të dhënave të financuara nga shteti të përdornin vetëm çipa vendas për inteligjencën artificiale.