Disa komuna në kantonin e Gjenevës kanë kundërshtuar ligjin e ri që rregullon veshjen në pishina, i cili kufizon përdorimin e kostumeve të banjës që mbulojnë pjesë të mëdha të trupit, përfshirë edhe ato mbrojtëse nga rrezet ultravjollcë (UV).

Pas Vernierit, edhe Meyrin, Carouge, Lancy dhe Qyteti i Gjenevës kanë depozituar ankesa zyrtare, duke argumentuar se kjo rregullore është në kundërshtim me objektivat e shëndetit publik. Sipas tyre, veshjet mbrojtëse ndaj diellit janë një masë e njohur dhe efektive për parandalimin e dëmtimeve nga rrezet UV dhe të kancerit të lëkurës.

Ligji, i cili hyri në fuqi në fund të majit, lejon vetëm kostume banje që nuk i kalojnë gjunjët dhe që i lënë krahët të zbuluar. Ai u propozua fillimisht nga Partia Popullore Zvicerane (UDC) me synimin për të ndaluar burkinin, por më pas u formulua në një mënyrë më të përgjithshme.

Komunat kundërshtuese theksojnë se administrimi i pishinave lokale është kompetencë e tyre dhe kërkojnë ruajtjen e së drejtës për të lejuar përdorimin e veshjeve mbrojtëse nga dielli.