Gjykata Speciale pranon rezolutën për proces të drejtë; Avokati Bajraktari: Më mirë vonë se kurrë, pres lirimin e drejtuesve të UÇK-së
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar pranimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila kërkon një proces gjyqësor të drejtë për të akuzuarit. Kjo rezolutë u miratua nga Kuvendi më 12 shkurt të këtij viti, siç raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, avokati Ardian Bajraktari theksoi se kjo rezolutë e Kuvendit përfaqëson vullnetin politik për kërkimin e drejtësisë.
Avokati Bajraktari shpjegoi se rezolutat “janë akte ku shprehet vullneti politik, në këtë rast i Kuvendit, dhe kërkesat thelbësore të saj kanë qenë në funksion të drejtësisë. Pavarësisht se, sipas bindjes sime, ka qenë një veprim i vonuar, megjithatë është më mirë vonë se kurrë. Shpresojmë që një qasje e tillë të reflektojë në ndryshimin e qëndrimit brenda Dhomave të Specializuara, sepse si populli ashtu edhe përfaqësuesit e tij, përmes kësaj rezolute, nuk kanë kërkuar asgjë më shumë sesa drejtësi në shqyrtimin dhe vendimmarrjen lidhur me drejtuesit e UÇK-së, të cilët aktualisht po përballen me akuza të konsideruara të padrejta dhe një proces të stërzgjatur.”
Bajraktari deklaroi se procesi në Hagë është karakterizuar nga padrejtësi dhe stërzgjatje.
“Kjo rezolutë është, para së gjithash, një shprehje e vullnetit politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës në drejtim të kërkesës për drejtësi dhe nxjerrjes në pah të padrejtësive që kanë karakterizuar këtë proces të stërzgjatur dhe të perceptuar si të padrejtë,” tha Bajraktari për EO.
Avokati Bajraktari shprehet se, bazuar në atë që ka vëzhguar gjatë gjykimit, beson se katër ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – do të shpallen të pafajshëm.
Duke iu referuar rregullave të procedurës dhe provave, afati për verdikt ka filluar të rrjedhë nga 18 shkurti, moment kur është mbyllur çështja. “Shpresojmë të kemi një vendim sa më parë, brenda afateve të përcaktuara me rregullore – 90 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për 60 ditë të tjera. Sipas këtyre parametrave, presim që deri në qershor të kemi një verdikt. Unë jam optimist dhe i bindur, nga ajo që kemi parë, se fundi i këtij procesi do të rezultojë me pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së, pasi Prokuroria, sipas bindjes sime, nuk ka arritur të argumentojë tezat e saj në aktakuzë,” përfundoi ai.
Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, aktualisht është në fazën përfundimtare në Gjykatën Speciale.
