Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, ku theksoi se Kosova është një dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit transatlantik.
Në panelin e titulluar “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, Konjufca diskutoi mbi rëndësinë kyçe të këtij bashkëpunimi për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca nënvizoi transformimin e Kosovës nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci të lulëzuar në paqe. Ky progres i vazhdueshëm është realizuar falë qëndrueshmërisë së institucioneve të saj dhe partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Duke iu referuar sulmeve terroriste në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për të përballuar këto kërcënime serioze dhe përpjekje destabilizuese. Kjo është arritur duke mbrojtur sigurinë e vendit, gjithmonë me mbështetjen e palëkundur të partnerëve transatlantikë.
Në përfundim, Zëvendëskryeministri Konjufca ritheksoi se përvoja e Kosovës tregon qartë rezultatet konkrete të unitetit transatlantik dhe theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së këtij partneriteti strategjik për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
