**KRU “Mitrovica” dënon ashpër sulmin me armë zjarri ndaj punonjësve të saj**
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” (KRU “Mitrovica”) ka shprehur shqetësimin e thellë dhe ka dënuar ashpër një incident të rëndë të ndodhur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren.
Sipas komunikatës së kompanisë, ngjarja ndodhi kur një konsumator, i cili ishte furnizuar rregullisht me shërbimin e ujësjellësit, nuk i kishte përmbushur detyrimet financiare ndaj kompanisë. Pavarësisht njoftimeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme, si dhe mundësisë së ofruar për pagesë ose arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e borxhit, detyrimet nuk ishin përmbushur.
“Gjatë tentativës për shkëputjen nga rrjeti e ujit, punonjësit tanë u përballën me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve paraprake, ndaj tyre u përdor një armë zjarri,” thuhet në reagim. Fatmirësisht, incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz, duke mos shkaktuar të lënduar.
KRU “Mitrovica” dënon fuqishëm çdo formë dhune, kërcënimi dhe pengimi ndaj punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare. Kompania thekson se punonjësit e saj veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe meritojnë siguri e mbrojtje të plotë gjatë punës.
I është bërë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që ta trajtojnë rastin me seriozitetin më të lartë, të marrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë mbajtjen e përgjegjësisë së plotë nga personat e përfshirë.
Njëkohësisht, KRU “Mitrovica” u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që t’i përmbushin detyrimet ndaj Kompanisë në kohë dhe çdo çështje lidhur me borxhet, pagesat ose shërbimet ta adresojnë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore. “Dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk mund dhe nuk do të tolerohet,” përfundon reagimi.
