Me karburante të transportuara nga Koreja e Jugut përmes cisternave që janë nën sanksione, po furnizohet Rusia, e cila po kërkon mënyra për të zgjidhur problemin energjetik me të cilin po përballet pas sulmeve të njëpasnjëshme ukrainase ndaj rafinerive të saj. E gjithë kjo ndodh në një kohë kur Seuli ka shprehur publikisht dhe hapur mbështetjen e tij për Kievin.
Sipas një analize të realizuar nga The Guardian, bazuar në të dhënat e porteve dhe informacionet e gjurmimit të anijeve, në muajt korrik dhe gusht, në disa porte të Koresë së Jugut u ngarkuan më shumë se 176 mijë tonë karburant, kryesisht naftë, në shtatë cisterna, të cilat kryen gjithsej 14 udhëtime drejt Lindjes së Largët të Rusisë.
Tre prej anijeve ishin nën sanksione të vendosura nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, ndërsa njëra prej tyre e mori ngarkesën përmes transferimit nga një anije tjetër në ujërat e Koresë së Jugut. Kjo metodë mund ta vështirësojë gjurmimin e origjinës së ngarkesës dhe u mundëson anijeve të shmangin hyrjen në portet dhe terminalet.
“Është tronditëse që cisternat që janë nën sanksionet e BE-së kanë ngarkuar karburant në portet e Koresë së Jugut dhe e kanë transportuar atë drejt Rusisë”, deklaroi Isaac Levi, analist në Centre for Research on Energy and Clean Air (CREA), një institut finlandez kërkimor. Ai shtoi se “kjo minon regjimin e sanksioneve dhe mbështetjen e Koresë së Jugut ndaj Ukrainës”.
Përpiqet të ruajë ekuilibrin mes Moskës dhe Kievit
Seuli i ka dërguar Ukrainës ndihma humanitare dhe pajisje ushtarake, si helmeta, jelekë antiplumb dhe automjete për çminimin e zonave, ndërsa në vitin 2023 u zotua për një paketë mbështetjeje prej 2.3 miliardë dollarësh, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga kredi.
Megjithatë, Koreja e Jugut prej kohësh përpiqet të ruajë një ekuilibër mes mbështetjes për Ukrainën dhe dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. Gjatë gjithë luftës, Seuli ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të drejtpërdrejtë të armëve në Ukrainë, duke ndjekur politikën e tij të qëndrueshme për të mos furnizuar me armë vdekjeprurëse vendet që ndodhen në luftë. Nga ana tjetër, Moska ka shprehur interes për përmirësimin e marrëdhënieve me Korenë e Jugut, përfshirë edhe në fushën e tregtisë.
Megjithëse transporti i karburanteve po kryhet me anije që janë vendosur nën sanksione nga disa prej partnerëve perëndimorë të Seulit, duket se këto veprime nuk shkelin ligjet e Koresë së Jugut. Masat që vetë vendi ka vendosur ndaj Rusisë bazohen kryesisht në kontrollet e eksporteve të produkteve si makineritë industriale, pajisjet elektronike dhe automjetet.
Megjithatë, këto dërgesa mund të krijojnë përshtypjen se Seuli përbën një hallkë të dobët në përpjekjet e Perëndimit për të ushtruar presion ndaj Rusisë. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e tij me Kievin po vihen në provë për shkak të transferimit të dy robërve të luftës nga Koreja e Veriut drejt Koresë së Jugut, një proces që, sipas Seulit, duhej të mbetej sekret.
Ende nuk dihen shitësit e karburantit
Ende nuk është përcaktuar se kush ishte pronari ose shitësi i karburantit, pasi të dhënat përkatëse nuk figurojnë në regjistrat e porteve të Koresë së Jugut.
Cisterna më e madhe, “Layla”, e cila është nën sanksione, kreu dy udhëtime nga porti juglindor i Ulsanit drejt Vladivostokut, duke u nisur më 19 korrik dhe më 10 gusht dhe duke transportuar gjithsej 57 mijë tonë naftë. Në udhëtimin e parë kishte deklaruar para autoriteteve koreano-jugore se destinacioni ishte Vladivostoku, ndërsa në udhëtimin e dytë kishte deklaruar se po drejtohej për në Niigata të Japonisë.
Një tjetër cisternë nën sanksione, “Astoria”, me flamur rus dhe e përfshirë gjithashtu në listën australiane të sanksioneve, ngarkoi rreth 11 mijë tonë karburant në Ulsan më 1 gusht. Ajo kishte deklaruar si destinacion Japoninë, përpara se të lundronte përfundimisht drejt Vladivostokut.
Cisterna e tretë nën sanksione, “Chongchon”, nuk u ankorua asnjëherë në port. Në fillim të gushtit, ajo mori rreth 26 mijë tonë karburant nga “Celeste I”, një cisternë që nuk është në listën e sanksioneve, në një zonë ankorimi në det të hapur pranë portit koreano-jugor të Yeosus. Më pas, ajo u drejtua për në Vladivostok, megjithëse kishte deklaruar Singaporin si destinacion. /Panorama
