Ish-kryeministri dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka publikuar disa nga të gjeturat kryesore të një hulumtimi të NDI, të realizuar në maj të vitit 2026, duke i cilësuar ato si dëshmi të, siç shprehet ai, “mashtrimeve dhe dështimeve të LVV-së” gjatë qeverisjes.

Hoti ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është ndër qeveritë me mandatin më të gjatë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjeturat kryesore nga hulumtimi i NDI-së, i realizuar në maj 2026, tregojnë mashtrimet dhe dështimet e LVV-së në krye të institucioneve të vendit për 6 vite. Kujtojmë se Qeveria e udhëhequr nga LVV-ja është ndër Qeveritë me mandatin më të gjatë nga shpallja e pavarësisë e këndej. Premtimet për drejtësi sociale, eliminim të korrupsionit, shëndetësi e arsim cilësor dhe punësim e të ardhura të sigurta për të gjithë kanë qenë mashtrime elektorale”, shkroi ai.

Duke renditur disa nga të gjeturat, Hoti shkroi:

Ja të gjeturat kryesore nga NDI-ja:

  • 44% e të rinjve të moshës 18-24 vjeç mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.
  • Problemi më i madh në Kosovë është kostoja e jetës, që lidhet me çmimin e lartë të mallrave konsumuese dhe çmimin e energjisë elektrike.
  • Tri vështirësitë kryesore me të cilat përballet familja janë: faturat e shërbimeve publike (rrymë, ujë, mbeturina), ushqimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor.
  • Tri rreziqet kryesore të demokracisë në Kosovë: korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve.
  • Politikat më të nevojshme në Kosovë janë: sigurimet shëndetësore, cilësia e shërbimeve shëndetësore, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe cilësia e arsimit.