Kosova dhe Austria nënshkruajnë marrëveshje për punësimin e familjarëve të diplomatëve

Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, duke shënuar një hap të mëtejmë në thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit institucional midis dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Nikolaus Marschik.

“Marrëveshja mundëson ushtrimin e veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor, gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm Marschik, me të cilin diskutoi rreth marrëdhënieve dypalëshe, mundësive për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Gjatë vizitës, u zhvilluan edhe konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës dhe Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë. Delegacioni i Kosovës u kryesua nga zëvendësministri Ahmeti, ndërsa ai austriak nga ambasadorja Elisabeth Kornfeind.

Gjatë konsultimeve, palët diskutuan për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, marrëveshjet në vazhdim, organizimin e forumit të ardhshëm ekonomik midis Kosovës dhe Austrisë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e konsultimeve të rregullta politike dhe orientimin e bashkëpunimit drejt rezultateve konkrete dhe nismave të reja dypalëshe.