**Kosova dhe Shtetet e Bashkuara Themelojnë Grupin Punues për Energjinë**
Ministria e Ekonomisë e Kosovës priti takimin e parë të Grupit Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë, i themeluar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky grup përbëhet nga përfaqësues politikë e teknikë të Ministrisë së Ekonomisë, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT), si dhe zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Objektivi kryesor i grupit është forcimi i bashkëpunimit për garantimin e sigurisë energjetike dhe ofrimin e energjisë së përballueshme. Përmes shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës së ndërsjellë, palët do të analizojnë mundësi konkrete që përkojnë me prioritetet e përbashkëta dhe nevojat specifike të sektorit energjetik në Kosovë.
Kjo nismë shënon një vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e energjisë. Në këtë kuadër përfshihen iniciativa të rëndësishme si themelimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, hartimi i Strategjisë së Energjisë, zhvillimi i ankandit të parë solar, si dhe investimet në bateri për ruajtjen e energjisë, të realizuara në kuadër të Programit Kompakt me MCC-në, ndër të tjera.
Palët pjesëmarrëse shprehën zotimin e tyre për të thelluar këtë partneritet dhe për të identifikuar rrugë konkrete bashkëpunimi, me qëllim të ndërtimit të një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
