Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Nëpërmjet një postimi në platformën “Facebook”, Rama e ka theksuar rëndësinë jetike të unitetit institucional për miratimin e kësaj deklarate. Ai theksoi se për çështje kyçe që lidhen me luftën për liri dhe historinë e shtetit, dallimet politike nuk duhet të mbizotërojnë mbi përgjegjësinë e përbashkët.
“Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë. Ky unitet institucional në miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ishte jetik. Kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare, për sakrificën e një populli dhe për të vërtetën historike të Kosovës, dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se përgjegjësia jonë e përbashkët,” shkroi ai.
