Kosova, shtet partner për herë të parë në forumin gjerman “Future Industry Minds”
Prishtinë, 29 maj – Republika e Kosovës po prezantohet për herë të parë si shtet partner zyrtar në forumin e biznesit “Future Industry Minds”, që po mbahet në Bensberg të Gjermanisë. Ky lajm u bë i ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas Ministres, pjesëmarrja e Kosovës në këtë organizim shënon një angazhim thelbësor në promovimin e mundësive investive dhe potencialit ekonomik të vendit. Ajo njoftoi se hapjen e forumit, për bizneset si nga Kosova ashtu edhe nga Gjermania, do ta bëjë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në këtë forum po marrin pjesë një sërë kompanish kosovare nga sektorë të ndryshëm ekonomikë, duke përfshirë teknologjinë, industrinë, ndërtimin, shërbimet dhe prodhimin. Ndër kompanitë pjesëmarrëse janë: ReachXCEL, Elektrostublla, Blendi Print, Hexaworld, Titan Sharrcem, Novus, Speeex, Arquail, Accountric LLC, Starlabs dhe Reach TEQ.
Këto kompani përfaqësojnë fusha kyçe si shërbimet BPO dhe ato ndaj klientëve, elektroteknologjia dhe elektronika, printimi dhe menaxhimi i zyrës, alumini dhe dritaret, çimentoja dhe materialet ndërtimore, softueri, teknologjia informative dhe siguria kibernetike, ndërtimi, si dhe kontabiliteti dhe konsulenca financiare.
Gjatë dy ditëve të forumit, kompanitë kosovare do të kenë mundësinë të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të industrisë gjermane nga sektorë të ndryshëm, me qëllim krijimin e partneriteteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se partneritetet që mund të krijohen në kuadër të këtij forumi kanë potencial të sjellin rezultate konkrete për ekonominë e Kosovës dhe të dëshmojnë se Kosova është një partner ekonomik i besueshëm.
Ajo po ashtu bëri të ditur se do të marrë pjesë në panelin ku do të diskutohet për zhvillimin e industrisë dhe dinamikat që e formësojnë atë. Paneli do të moderohet nga Prof. Dr. Dirk Hartel, ndërsa pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësues të Siemens AG, Flaconi GmbH dhe BMZ-së.
