Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi masën e arrestit ndaj tij.

Vendimi u shpall pas seancës së zhvilluar këtë të hënë në ambientet e GJKKO-së. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe disa figura të Partisë së Lirisë dhe përfaqësues të opozitës, përfshirë Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj.

Gjatë zhvillimit të seancës, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani paraqiti në gjykatë vendimin e fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë. Ai argumentoi në favor të ndryshimit të masës së arrestit, por kërkesa e paraqitur nga pala mbrojtëse nuk u pranua nga trupi gjykues.