**Fluks i lartë nga Kosova drejt bregdetit shqiptar për pushime**
Pika Kufitare e Morinës ka regjistruar një fluks të theksuar gjatë fundjavës, me mijëra qytetarë nga Kosova që po udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet verore në bregdet.
Sipas të dhënave të autoriteteve kufitare, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 26.921 kalime të shtetasve dhe rreth 8.022 automjeteve në të dy drejtimet, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Konkretisht, 14.564 shtetas me 4.233 automjete kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 12.357 shtetas me 3.899 automjete kanë dalë nga Shqipëria.
Korrespondenti i Top Channel, Bekim Lekica, raporton se destinacioni kryesor i udhëtarëve mbetet bregdeti shqiptar. Shumë prej tyre deklarojnë se kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën ose një pjesë të pushimeve verore në Shqipëri.
Për të menaxhuar fluksin e lartë, Pika Kufitare e Morinës operon me 12 sportele në hyrje dhe dalje. Falë procedurës së përshpejtuar të kontrollit, e cila zbatohet në kuadër të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, është bërë e mundur shmangia e radhëve të gjata dhe kalimi i shpejtë i udhëtarëve.
Autoritetet parashikojnë që fluksi i pushuesve do të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim, pasi sezoni turistik po hyn në kulmin e tij dhe numri i vizitorëve drejt bregdetit shqiptar vazhdon të rritet.
