**Kosovari dëbohet nga Gjermania pas vdekjes së shkaktuar në garë ilegale rrugore**

Një 28-vjeçar nga Kosova, i cili në vitin 2019 shkaktoi vdekjen e një gruaje 43-vjeçare gjatë një gare të paligjshme rrugore në Moers të Gjermanisë, do të dëbohet në Kosovë. Vendimin e dha të martën Gjykata e Lartë Administrative e shtetit të Renanisë Veriore-Vestfalisë në Münster.

Qyteti i Duisburgut e kishte marrë më parë vendimin për dëbimin e tij, duke refuzuar t’i zgjaste lejen e qëndrimit dhe duke e kërcënuar me dëbim. Gjykata Administrative e Dyseldorfit e kishte rrëzuar padinë e tij kundër dëbimit dhe gjithashtu kishte hedhur poshtë një kërkesë urgjente të bërë nga mbrojtja e tij.

Gjykata e arsyetoi vendimin duke theksuar se personi në fjalë vazhdon të paraqesë rrezik për kryerjen e veprave të tjera penale. Urdhri për zbatim të menjëhershëm u konsiderua i ligjshëm për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të recidivizmit dhe kostove të larta të mbajtjes së tij në burg.

I dënuari e apeloi këtë vendim paraprak në Gjykatën e Lartë Administrative. Megjithatë, Senati i 18-të e hodhi poshtë ankesën si të papranueshme. Aplikanti e kundërshtoi vendimin vetëm në lidhje me rrezikun e përsëritjes së veprës, duke mos kundërshtuar arsyetimin e gjykatës administrative lidhur me kostot e burgimit.

Vendimi është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet më tej.