Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë vendimtare për të ardhmen politike të vendit, duke bërë thirrje për formimin e institucioneve stabile dhe funksionale pas procesit zgjedhor.

Në një intervistë për IndeksOnline, ai ka shprehur shqetësimin për krizën e vazhdueshme politike dhe ndikimin që ajo po ka në funksionimin e institucioneve.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës. Por paraliza e vazhdueshme politike e bën më të vështirë për ne dhe për të tjerët që të argumentojmë fuqishëm në favor të Kosovës”, tha Hargreaves.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme marrin peshë të veçantë për shkak të situatës politike të krijuar muajve të fundit.

“Prandaj këto zgjedhje kanë rëndësi. E di që ka lodhje nga zgjedhjet, por fakti që këto janë zgjedhjet e treta brenda 16 muajve i bën ato më të rëndësishme, jo më pak. Kosovës i nevojitet urgjentisht udhëheqje stabile. I duhet një president, një Kuvend dhe një qeveri që mund të marrin vendime dhe të japin rezultate”, deklaroi ambasadori për IndeksOnline.

Ai vuri në pah edhe problemet me funksionalizimin e institucioneve, duke përmendur periudhat e gjata të bllokadës.

“Kuvendi ka qenë plotësisht funksional vetëm rreth 10 javë gjatë 75 javëve të fundit. Shumë nga kjo kohë është shpenzuar në procedura, jo në ndikim për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ambasadori britanik u bëri thirrje partive politike që të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim pas zgjedhjeve.

“Mesazhi im është i thjeshtë: bëni fushatë për të fituar, por jini të gatshëm të bashkëpunoni ditën pas zgjedhjeve. Hapësira për kompromis do të jetë thelbësore. Gjithashtu inkurajoj një fushatë të qetë dhe respektuese, përfshirë në internet, ku retorika  veçanërisht ajo e drejtuar ndaj grave mbetet thellësisht shqetësuese.”, u shprehë Hargreaves./IndeksOnline/