Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e ka miratuar raportin e punës të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

Raporti është paraqitur për shqyrtim gjatë mbledhjes së KPK-së, mirëpo nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme të anëtarëve të Këshillit për t’u miratuar.

Gjatë prezantimit është diskutuar puna dhe performanca e Prokurorisë Speciale, institucion që trajton disa nga rastet më të ndjeshme në vend, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, terrorizmin dhe krimet e luftës.

Pavarësisht prezantimit të bërë nga Isufaj, anëtarët e Këshillit nuk i dhanë mbështetjen e nevojshme raportit, duke bërë që ai të mbetet pa miratim.

Blerim Isufaj është duke e ushtruar mandatin e dytë si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Mandati i tij aktual katërvjeçar ka nisur më 1 janar 2024.

Mosmiratimi i raportit vjen në një periudhë kur puna dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë, sidomos në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes publike.