Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sqaron se votimi me asistencë lejohet vetëm për kategori të caktuara votuesish. Kjo formë votimi u ofrohet personave me aftësi të kufizuara, të cilët nuk janë në gjendje të shënojnë apo hedhin fletëvotimin në kuti, si dhe votuesve të verbër që nuk e përdorin dot alfabetin Braille.
KQZ-ja u bën thirrje votuesve të informohen paraprakisht mbi procedurat dhe kriteret e këtij lloji votimi, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet pa pengesa dhe në përputhje me rregullat.
Sipas njoftimit, qytetarët mund të gjejnë informacione të detajuara mbi të drejtën e votimit me asistencë, mënyrën e realizimit të tij, kriteret që duhet të plotësojë asistuesi, si dhe format e tjera të mbështetjes që ofrohen në vendvotime për personat që kanë nevojë për ndihmë gjatë procesit të votimit.
Për informacione shtesë, KQZ-ja ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0800 55 555, si dhe numrat e kontaktit në WhatsApp dhe Viber: +383 46 13 00 13.
