Kryediplomati shqiptar: Kosova, prioritet kyç i politikës së jashtme

Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, ka pritur sot ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, në një takim ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

Përmes një postimi në platformën “X”, ministri Hoxha e cilësoi takimin si “shumë miqësor” dhe theksoi se Kosova përbën një përparësi të padiskutueshme të politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai kujtoi se këtë qëndrim ia kishte konfirmuar më herët edhe ministrit Glauk Konjufca.

Sipas Hoxhës, gjatë bisedës u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e partneritetit të veçantë mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ky bashkëpunim do të konkretizohet nëpërmjet koordinimit të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike. Vëmendje e posaçme do t’u kushtohet sektorëve të sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit.