**Kryediplomati shqiptar: Dialogu me Serbinë është interes kombëtar, mund të ndihmojë njohjen e Kosovës**
Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, diskutoi të premten në një konferencë për media raportet e Shqipërisë me Serbinë dhe Kosovën.
Hoxha theksoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka aleancë me Serbinë, por se Shqipëria mbron interesat e saj kombëtare duke dialoguar edhe me shtete me të cilat ka qëndrime të kundërta. Ai sqaroi se takimet mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë janë pjesë e diplomacisë normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Kryeministri nuk ka aleancë as me Serbinë, as me askënd tjetër. Ne mbrojmë interesat tona përmes dialogut, edhe me palët me të cilat kemi qëndrime të kundërta. Në diplomaci, negociojmë. Fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal për të gjetur mënyra për të avancuar, nuk paraqet asgjë shqetësuese. Natyrisht që do të takohemi me përfaqësuesit serbë,” deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se me Serbinë ka vetëm interesa që e detyrojnë Shqipërinë të jetë bashkëpunuese. “Nuk ka asnjë aleancë, ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë dhe bashkëpunues. Marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione, dhe kjo është e kuptueshme, por duhet parë edhe mundësinë që përpjekjet e Shqipërisë për të ndërtuar marrëdhënie mund të kontribuojnë, sado pak, në normalizimin e marrëdhënieve rajonale dhe potencialisht në procesin e njohjes së Kosovës,” theksoi ai.
Hoxha përfundoi duke vënë theksin te nevoja për zgjidhjen e çështjes finale, atë të njohjes reciproke dhe statusit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë mund të ndihmojnë në arritjen e këtij synimi final.
