Monika Kryemadhi zbardh përplasjen mes Mirit dhe Ilir Vrenozit pas “Big Brother VIP”
Monika Kryemadhi ka hedhur dritë mbi episodin e përfolur mes ish-banorëve Miri dhe Ilir Vrenozi, i ndodhur pas përfundimit të “Big Brother VIP”, duke e cilësuar atë si një përplasje thjesht momentale.
E ftuar në emisionin “Breaking”, Kryemadhi shpjegoi se situata kishte ndodhur papritur, ndërsa të pranishmit ishin duke biseduar qetësisht.
“Sinqerisht nuk u kuptua çfarë ndodhi. Ishim duke biseduar qetësisht, kur në një moment Vrenozi reagoi me tone të larta. Besoj se batutat e Mirit, që jo gjithmonë kuptohen nga të gjithë, krijuan një situatë të ngarkuar emocionalisht,” u shpreh ajo.
Sipas Kryemadhit, në debat u përdor edhe zhargon i përditshëm, çka ndikoi në përshkallëzimin e situatës, por gjithçka u mbyll shpejt.
“Ishte më shumë një shpërthim i momentit, me tone të larta, por më pas gjithçka u qetësua,” theksoi ajo.
Kryemadhi la të kuptohet se bëhej fjalë për një situatë kalimtare dhe jo për një konflikt të thellë mes dy ish-konkurrentëve të programit.
