Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sektori minerar do të konsiderohet strategjik, me rëndësi kyçe për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Në kuadër të këtij angazhimi, ai njoftoi se do të alokohen 50 milionë euro për skanimin e burimeve minerare të vendit.
Gjatë mandatit të ri qeverisës, parashihet krijimi i partneriteteve strategjike në nivel shtetëror për hulumtim dhe investime të përbashkëta, me qëllim shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe zhvillimor të pasurive natyrore të Kosovës.
Fondi prej rreth 50 milionë eurosh do të shfrytëzohet për skanimin e plotë të burimeve minerare dhe natyrore, duke synuar vënien e tyre në funksion të ekonomisë dhe zhvillimit industrial.
Kompania ‘Trepça’ do të jetë në qendër të zhvillimit të sektorit minerar, ndërsa hulumtimet dhe investimet pritet të zgjerohen edhe në zona të tjera me potencial të lartë minerar.
Për zhvillimin e ‘Trepçës’, parashikohet përfshirja e një korporate minerare ndërkombëtare me përvojë të gjerë, si bashkëinvestitor, në bashkëpunim të ngushtë me një prej vendeve mike të Kosovës.
Këto iniciativa janë pjesë e zotimeve programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zhvillimin e sektorit minerar dhe fuqizimin e ‘Trepçës’, me vizionin për zhvillim industrial, krijim të vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë kombëtare.
