Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport dhe autorizon hetim për rastin e Arlinda Zekajt
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nisur veprime konkrete institucionale për të hedhur dritë mbi trajtimin e rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila humbi jetën më 25 tetor 2026 në Pejë.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën me dije se koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje është autorizuar të analizojë në detaje çdo veprim institucional të deritanishëm, lidhur me rastet ku viktimë ishte Zekaj.
Në kuadër të këtyre masave, i është kërkuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, të dorëzojë një raport të detajuar me shkrim mbi gjithë historikun e rasteve.
Ky raport do të përfshijë:
* Identitetin e personave të denoncuar dhe kualifikimin ligjor të veprave;
* Emrat e prokurorëve përgjegjës dhe atyre që kanë trajtuar çështjet, veprimet procedurale dhe afatet kohore të ndërmarrjes së tyre;
* Vendimet e marra dhe arsyetimet përkatëse ligjore;
* Shkallën e vlerësimit të rrezikut dhe masat mbrojtëse të kërkuara për viktimën;
* Bashkërendimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet relevante;
* Trajtimin e veçantë të shkresës/ankesës së viktimës, dorëzuar më 22.10.2026.
Njëkohësisht, Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) të nisë hetime dhe verifikime ndaj zyrtarëve policorë. Qëllimi është të verifikohet mënyra se si janë pranuar, evidentuar dhe trajtuar denoncimet e Arlinda Zekajt në stacionet policore, me synim identifikimin e përgjegjësisë individuale apo institucionale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thekson se çështja po trajtohet me urgjencë dhe paanshmëri maksimale.
“Nëse konstatohen shkelje ligjore, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për çdo shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale,” thuhet në njoftim.
