Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë politike dhe partiake, duke argumentuar se Kosova ka popullin më të angazhuar politikisht në Evropën Juglindore.
Gjatë një interviste në emisionin “Pressing” të T7, Kryeziu theksoi se angazhimi i lartë politik i qytetarëve kosovarë kërkon një lider shtetëror me orientim të qartë politik dhe partiak. Si shembull, ai përmendi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke pretenduar se anëtarët e saj janë kryesisht të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Populli i Kosovës është populli më politik në Evropën Juglindore; të gjithë njerëzit janë të angazhuar në politikë dhe parti. Për shembull, e gjithë Akademia e Shkencave është me LDK-në; kryesisht janë njerëz politikë. Prandaj, Presidenti duhet të jetë politik dhe partiak,” citohet të ketë thënë Kryeziu.
