**Kurti dhe Sveçla vizitojnë Inspektoratin Policor të Kosovës, theksojnë forcimin e besimit te qytetarët**
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan sot Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ku u pritën nga kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj. Gjatë vizitës, ata vlerësuan lart punën e këtij institucioni në rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit publik.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se IPK ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u kthyer në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim lidhur me veprimet e Policisë. “Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët,” deklaroi Kurti. Ai shtoi se Inspektorati Policor ka forcuar praninë e tij institucionale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë katër komunat në veri të vendit, duke rritur qasjen, besimin dhe barazinë institucionale për të gjithë qytetarët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vuri në dukje se IPK luan një rol të drejtpërdrejtë në forcimin e besimit të qytetarëve te Policia e Kosovës dhe në funksionimin e shtetit ligjor, duke siguruar që çdo shkelje e ligjit të trajtohet me profesionalizëm dhe paanshmëri. Ai theksoi se “gjatë viteve të fundit, kemi punuar së bashku që IPK të shënojë rezultate të rëndësishme në përmbushjen e mandatit të tij ligjor. Janë trajtuar mijëra ankesa të qytetarëve, janë zhvilluar hetime profesionale dhe janë ndërmarrë masa konkrete disiplinore dhe penale ndaj rasteve të shkeljeve brenda radhëve të Policisë së Kosovës.” Sveçla gjithashtu vlerësoi operacionet dhe aktivitetet e ndryshme të IPK-së si dëshmi të qartë të përkushtimit institucional në luftën kundër korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë. Ai përsëriti mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për IPK-në, duke premtuar shtimin e stafit dhe forcimin e kapaciteteve operacionale për avancimin e mëtejmë të këtij institucioni të rëndësishëm.
Nga ana e tij, kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Sveçla për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme. Me këtë rast, ai prezantoi një përmbledhje të arritjeve të IPK-së dhe platformën e re për monitorimin e stacioneve policore në Kosovë.
