Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar festivalin “Ditët e Shqiptarit”, i cili po mbahet në Gjakovë dhe po shndërrohet tashmë në një traditë vjetore të qytetit.

Përmes një postimi, Kurti ka thënë se nga 17 korriku deri më 9 gusht, hapësira të ndryshme të Gjakovës, nga Parku “Ali Podrimja” e Çarshia e Vjetër, deri te Kanioni i Drinit dhe Shkugëzi, janë kthyer në skena të kulturës, traditës dhe artit.

Ai ka veçuar mbrëmjen e kaluar, ku performuan artistet Dina e Mel nga Kroacia, të cilat përmes muzikës hulumtojnë dhe ruajnë trashëgiminë mbi 300-vjeçare të Arbëneshëve të Zarës.

Në kuadër të mbrëmjes performoi edhe këngëtarja Rona Nishliu, e shoqëruar nga Gent Rushi në tastierë, Rinon Hoxha në bas dhe Teoman Ukça në bateri.

“Ishte një mbrëmje ku muzika, kujtesa dhe krijimtaria bashkëkohore u takuan, në një atmosferë që Gjakova di ta krijojë si rrallëkund tjetër”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë në detyrë ka uruar organizatorët, artistët dhe të gjithë kontribuuesit e festivalit, duke theksuar rëndësinë e tij për jetën kulturore të Gjakovës dhe Kosovës.

“Kosovës sonë iu shtuan ‘Ditët e Shqiptarit’, ashtu siç e meriton çdo ditë e shqiptarit: me kulturë e zhvillim, me art e gëzim”, ka përfunduar Kurti.