**Ancelotti dhe Raphinha, kartonë të kuq pas humbjes së Brazilit ndaj Japonisë në miqësore**

Ekipi brazilian ka pësuar humbjen e parë në këtë periudhë, duke u mposhtur 3-2 nga Japonia në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Singapor. Takimi u shënua nga tensioni i lartë, i cili kulminoi me ndëshkimin me karton të kuq për trajnerin italian Carlo Ancelotti dhe lojtarin Raphinha.

Ekipi japonez kaloi në avantazh të dyfishtë, 2-0, që në pjesën e parë, për shkak të gabimeve në mbrojtjen braziliane. Ky zhvillim e frustroi dukshëm Ancelottin. Trajneri italian shprehu kritika të forta gjatë gjithë ndeshjes, njësoj si lojtari Raphinha.

Vini barazoi rezultatin me dy gola, por një gabim i radhës në mbrojtje i kushtoi shtrenjtë brazilianëve, të cilët pësuan golin e humbjes në kohën shtesë. Brazilianët pretenduan për një faull paraprak në aksionin e golit, por gjyqtari nuk e akordoi, madje as pas rishikimit të situatës. Në këtë pikë, Ancelotti humbi përfundimisht durimin. Trajneri italian shpërtheu ndaj gjyqtarit të katërt, gjë që i solli një karton të kuq direkt në minutën e 92-të. Pak çaste më pas, edhe Raphinha u ndëshkua me karton të kuq, pasi kishte shprehur qartë protestat e tij.

“Dua të kërkoj ndjesë për ndëshkimin, por është shumë e vështirë të mos reagosh ndaj gjyqtarit,” tha Raphinha pas ndeshjes, duke theksuar më tej: “Është e vështirë kur të duhet të luash edhe kundër gjyqtarit, kjo i ndërlikon shumë gjërat. Nuk po them se nuk kemi faj, kemi shumë për të përmirësuar dhe do ta bëjmë, por nuk mund ta shpërfillim mënyrën se si u gjykua ndeshja sot.”

/IndeksOnline/