**Lindrit Kamberi flet pas debutimit me fanellën dardane**

Mbrojtësi Lindrit Kamberi debutoi me fanellën e Kosovës në barazimin 0-0 ndaj Izraelit. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Futbollisti i skuadrës së Zurichut luajti për 90 minuta, duke shënuar paraqitjen e tij të parë me fanellën dardane.

Pas përfundimit të ndeshjes, Kamberi u shpreh i dëshpëruar me rezultatin, por theksoi se Kosova ishte e organizuar mirë në mbrojtje.

“Jemi të gjithë të dëshpëruar. Në mbrojtje kemi qenë shumë mirë dhe duhet të jemi të kënaqur me një pikë. Fokusi është tek e ardhmja, jam shumë krenar që luaj për Kosovën. Ekipi ka cilësi,” tha ai.

Kjo paraqitje kishte një rëndësi të veçantë për Kamberin, pasi shënoi debutimin e tij zyrtar me fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Kosova ka grumbulluar gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve të zhvilluara në grupin B3 të Ligës së Kombeve. Ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndaj Irlandës më 17 nëntor.